Në Përkujtim të Personave të Zhdukur me forcë si pasojë e luftës në Kosovë 1998-2000.
Pema e Jetëve e krijuar nga Dea Gjinovci dhe Armand de Benoist de Gentissart dhe realizuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë është një memorial në formën e trungut të një peme me rrënjë. Në dukje e thjeshtë, një trung peme, i prerë por ende në këmbë, me rrënjët e ekspozuara e të ankoruara në tokë. Njëkohësisht fragment dhe tërësi, vepra mishëron një përkohshmëri të pasigurt; gjendjen e pezullt të personave të zhdukur me forcë si pasojë e luftës në Kosovë 1998-2000.
Asnjë ditë nuk është e zakonshme në luftë dhe secila ditë e paqes nuk do të jetë kurrë e plotë për aq kohë sa një luftë e re do të jetë duke ndodhur diku tjetër. Lufta ka aftësinë të shterojë dhe njëkohësisht të asgjësojë kuptimet; të gjuhës, të dinjitetit, të njeriut dhe të kohës. Duke ndjekur këtë koncept të mpakjes që është esenca e vetë luftës, ekspozita që i kushtohet të mbijetuarve të saj, vendos që simbolikisht ta zvogëlojë tërë kohëzgjatjen e luftës duke e rindërtuar dhe paraqitur një ditë të vetme të saj. Kjo ditë, autopsia e së cilës ndahet në mijëra çaste të brishta, përmban të gjitha llojet e shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut ku secila histori e rrëfyer vjen e tkurret derisa gjen formën e një fragmenti, ngjashëm me imazhet e rizgjuara të kujtesës traumatike.
Ekspozita në kujtim të 1620 personave të zhdukur gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë dhe menjëherë pas tij, duke përfshirë vitet 1998 – 2000, vjen në një kohë denoncimesh e zbulimesh të reja të varrezave masive të shumë dyshuara në territorin e Serbisë.
Të dhënat e 1620 personave në këtë ekspozitë nuk janë të dhënat e personave të zhdukur apo të pagjetur. Ato janë të dhënat e personave të zhdukur me forcë, të rrëmbyer, të ekzekutuar dhe të fshehur në varreza masive, të cilat, përgjatë më shumë se 20 viteve që na ndajnë nga krimet e kryera mbi popullsinë e Kosovës, janë tjetërsuar duke e bërë kërkimin dhe, si rrjedhojë, zbulimin e tyre sa vjen e më të ndërlikuar.
Mbi ato gjurmë dhe prova ka mbirë bari.
Na ishte njëherë është fillimi i natyrshëm i çdo përralle. Në këtë rast, është fillimi i rrëfimit të luftës. Nën shikimin naiv të fëmijëve na çelet një botë që nuk duhet t'i përkasë reales, ashtu si përralla.
Për krijimin e këtij memoriali është folur me prindërit e familjarët e viktimave dhe kjo ekspozitë shpreh dëshirën e tyre për t'i kujtuar ata me gjësendet e vetme të mbetura të një fëmijërie të ndërprerë